

Pas një ngjarjeje të dhimbshme siç qe ajo e ndarjes nga jeta e priftit tonë, vëllait, Elton Demollari, disa nga bashkësitë në Shqipëri përjetuan shërbesa të bukura në të cilat Apostulli Otten emëroi në detyrë disa motra diakone. Ky ishte një event i veçantë pasi motrat e emëruara ishin të parat motra të administratës për Shqipërinë.
Në shërbesat e datës 21 Prill, apostulli Otten emëroi motrat Elda Rako, Fiona Rako dhe Tea Ndrio për bashkësinë e Tiranës; motrën Ajkuna Gugu për bashkësinë e Elbasanit; motrën Sara Çela për bashkësinë e Lushnjes dhe motrat Elsa Rafaeli dhe Rezarta Dokaj për bashkësinë e Kuçovës, të gjitha si diakone. Ajo e dielë ishte një ditë shumë e gëzueshme për të gjithë besimtarët, dhe veçanërisht për ne motrat.
Ndjesia e marrjes së detyrës për mua ishte si asnjë tjetër. Vështirë ta përshkruaj me fjalë, por mund të them se ishte diçka shumë e bukur dhe e madhe. Dora e apostullit mbi kokën time, fjalët që ai thoshte, më pas dhe bashkësia që gëzonte … të gjitha ishin ndjesi drithëruese për zemrën time. Ishte si një festë e brendshme. Të gjitha urimet që u shkëmbyen në fund të shërbesës, si dhe fjalët inkurajuese të vëllezërve të administratës dhe apostullit, vetëm i shtonin lumturisë që ndjeja.
Tashmë që ka kaluar pak kohë nga marrja e detyrës ne e kuptojmë më mirë se çfarë duhet të bëjmë. Të marrësh një detyrë në kishë, shtëpinë e Zotit, është një bekim i madh, por duhet të mos harrojmë që kjo detyrë vjen dhe me një përgjegjësi të shtuar. Të jesh një diakon/diakone do të thotë të qëndrosh sa më afër motrave dhe vëllezërve, jo vetëm duke i pritur me gëzim ata tek dera, por duke i qëndruar afër në problemet dhe vështirësitë që mund të kenë. Ne bëhemi personat tek të cilët ata mund të drejtohen kur kanë nevojë për dikë që tua dëgjojë problemin, dhe ne duhet të jemi aty për ti dëgjuar dhe me diturinë që Zoti na jep, ti tregojmë rrugën e duhur. Si diakonë, ne bëhemi dhe krahu i djathtë i priftërinjve, duke mos i lënë ata vetëm në detyrën e tyre dhe duke qënë gjithmonë gati për të ndihmuar nëse lind një problem. Ne duhet të shpërndajmë fjalën e Perëndisë, në altar por edhe me njerëz të tjerë gjatë jetës sonë të përditshme. Secila prej këtyre dhe më shumë, janë të rëndësishme për detyrën tonë si diakone.
Ajo për çfarë i lutemi Zotit çdo ditë është të na japë përgjigjet e sakta në momentet e duhura, e të na udhëheqi në rrugën tonë si diakone të reja.