Si ndikon jeta e përditshme tek ne? Si mund ta përmirësojmë ne veten tonë? Si mund të mposhtim ne frikërat që kemi?

Së fundmi unë jam bërë diakone, një detyrë që e pranova me shumë kënaqësi e ngazëllim, por me një pyetje brenda vetes: A do mundem unë të dal në altar dhe të shpall fjalën e Zotit në një mënyrë që të jetë e kënaqshme për Atë por edhe sigurisht për të gjithë besimtarët që dëgjojnë? Edhe pse kisha disa muaj që e kisha marrë detyrën, dhe përgjegjësitë e tjera isha munduar që ti kryeja sa më mirë, në altar kisha ngurar që të dilja. Kjo gjë nuk më bënte që të ndihesha mirë, por gjithashtu kisha dhe frikën në vete se si do të flisja, dhe gjithmonë tërhiqesha.

Unë jam studente dhe në shumë vite shkollë, të folurit para audiencave duhet të jenë bërë dicka disi e zakonshme, por prezantimi nuk ka qënë asnjëherë një pikë e fortë e imja. Gjithmonë vihem në siklet, nëse nuk është e domosdoshme nuk flas; por dhe nëse flas jam shumë e shkurtër në fjalimet e mia, pra nuk jam një oratore e mirë. Gjithashtu, të folurit në altar ka një peshë tjetër, një përgjegjësi shumë herë më e madhe se ajo e të folurit para një audience me studentë apo profesorë. Këto gjëra më bënin që të nguroja per t’u ngjitur në altar. Një javë diçka ndryshoi. Duke lexuar fjalën për të dielën mendova: “Me siguri do të më pyesin nëse do të dua të ngrihem në altar”. Dhe po ashtu mendueshem iu përgjigja vetes: “Po këtë javë do të flas”.

Të dielën në mëngjes, duke e lexuar përsëri fjalën, më kapën emocionet: “A do të jem në gjendje të flas dhe të them atë që kam menduar?” Pata përsëri një dyshim në vete, por siç e dimë, Zoti punon në mënyra të ndryshme për të na shtyrë përpara, dhe në mendje papritur më erdhi një varg i këngës 397 “Unë e dua shumë jetën” (por që në momentin kur mu kujtua vargu nuk e mbaja mend titullin). Vargu thotë “Kush ngel prapa, mos bëj hapa, s’dua të dij gjë!”. Pasi mu përsërit disa herë në mendje, menjëherë thash me vete, “Unë nuk do të ngel prapa”, dhe çdo dyshim që kisha u shua. Emocioni vazhdonte të ishte aty dhe patjetër më shoqëroi dhe në altar. Siç e prisja, fola shkurt, por mendoj se ato pika që desha të prekja i thashë, dhe pas shërbesës të gjithë motrat dhe vëllezërit më dhanë përgëzimet e tyre për aktivizimin tim të parë.

Unë gjithmonë e kam ditur që një nga gjërat që duhet të përmirësoj është të folurit para njerëzve. Akoma kam shumë për të përmirësuar, por mendoj se të folurit për herë të parë në altar ishte hapi i parë për mua. Zoti na shtyn në mënyra të ndryshme të përmirësohemi, ne duhet të jemi vigjilentë dhe ti kuptojmë këto mënyra. Ne gjithashtu duhet të jemi dhe te guximshëm, në kuptimin për të sfiduar veten, për të mposhtur atë frikë. Çfarë më shty mua përpara ishte besimi im; unë kurrësesi nuk do të doja të mbesja prapa në besimin tim apo në detyrën që më është besuar. Ato tre minuta që unë fola në altar për fjalën e Zotit, ishin një hap përpara për mua në besim, një hap përpara për të përmirësuar veten dhe ndoshta, shpresoj, një kënaqësi për Perëndinë.

Fiona Rako